Deklarata e ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, gjatë vizitës së saj zyrtare në Maqedoninë e Veriut, vijon të shkaktojë reagime të forta dhe debat të gjerë në Shkup, veçanërisht në qarqet politike, akademike dhe mediatike shqiptare.
Siç raportuam një ditë më parë, Spiropali gjatë takimeve zyrtare foli për “reciprocitet në trajtimin e minoriteteve”, duke e vendosur komunitetin shqiptar në Maqedoninë e Veriut në të njëjtin kontekst me pakicën maqedonase në Shqipëri. Ky formulim u perceptua nga shumë zëra publikë si një rrëshqitje serioze diplomatike, që bie ndesh me realitetin politik dhe kushtetues të shqiptarëve në shtetin fqinj.
Indinjata ka qenë e menjëhershme, pasi shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk konsiderohen minoritet, por popullsi shtetformuese dhe faktor kushtetues, rol i garantuar nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit dhe ndryshimet kushtetuese pas vitit 2001.
Një nga reagimet më të forta ka ardhur nga gazetarja dhe avokatja Dijana Toska, e cila ka kërkuar publikisht sqarim nga institucionet shqiptare, duke theksuar se çdo relativizim i statusit të shqiptarëve përbën një gabim politik dhe historik. Sipas saj, shqiptarët përbëjnë mbi 30 për qind të popullsisë dhe janë pjesë themelore e shtetndërtimit dhe qeverisjes në Maqedoninë e Veriut.
Ajo thekson se koncepti i reciprocitetit mund të aplikohet vetëm mes pakicave kombëtare dhe jo mes një pakice dhe një populli shtetformues, duke paralajmëruar se deklarata të tilla rrezikojnë të ushqejnë narrativa që synojnë minimizimin e rolit politik të shqiptarëve.
Një këndvështrim tjetër në këtë debat ka sjellë profesori i së drejtës kushtetuese, Prof. Dr. sc. Jeton Shasivari, i cili argumenton se problemi nuk lidhet vetëm me Tiranën, por edhe me vetë institucionet dhe aktorët politikë në Shkup. Sipas tij, përdorimi i termit “pakicë kombëtare” për shqiptarët rrjedh nga një deklaratë zyrtare e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut e vitit 2004, e depozituar në Këshillin e Evropës në kuadër të Konventës Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare.
Shasivari thekson se, ndonëse Marrëveshja e Ohrit dhe Kushtetuta nuk e përdorin termin “pakicë”, kjo deklaratë ndërkombëtare ka krijuar një realitet juridik të dyzuar, për të cilin përgjegjësia kryesore u takon vendimmarrësve politikë vendorë të asaj kohe.
Debati i ndezur pas deklaratës së Spiropalit ka rikthyer në vëmendje përplasjen mes realitetit politik të shqiptarëve si faktor shtetformues dhe kornizave juridike ndërkombëtare të pranuara nga institucionet e Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë, mungesa e një sqarimi apo korrigjimi zyrtar nga pala shqiptare vazhdon të lërë hapësirë për interpretime mbi qëndrimin real diplomatik të Tiranës ndaj shqiptarëve në rajon.
Çështja mbetet e hapur dhe e ndjeshme, duke dëshmuar se debati për statusin, përfaqësimin dhe terminologjinë nuk është vetëm semantik, por ka peshë reale politike dhe simbolike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.