Aktori dhe komediani i famshëm akuzohet për përdhunim dhe sulm seksual

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 24.12.2025, 00:31

Komediani, prezantuesi dhe aktori britanik Russell Brand është akuzuar për dy vepra të reja penale, përfshirë një rast përdhunimi dhe një rast sulmi seksual, njoftoi Policia Metropolitane e Londrës.

Sipas një deklarate zyrtare, Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës (CPS) ka autorizuar ngritjen e këtyre akuzave shtesë, të cilat lidhen me dy gra të ndryshme. Ngjarjet e reja të dyshuara datojnë në vitin 2009.

Më herët, Brand kishte deklaruar pafajësinë për pesë akuza penale, që përfshijnë dy raste përdhunimi, dy raste sulmi seksual dhe një rast sulmi të pahijshëm, të lidhura me katër gra.

Russell Brand, 50 vjeç, pritet të paraqitet në Gjykatën e Magjistraturës Westminster më 20 janar 2026 për t’u përballur me dy akuzat e reja. Ndërkohë, gjyqi për pesë akuzat fillestare është planifikuar të nisë më 16 qershor 2026 në Gjykatën e Kurorës Southwark.

Brand akuzohet se ka përdhunuar një grua në Bournemouth në vitin 1999. Në vitin 2001, ai dyshohet se ka sulmuar në mënyrë të pahijshme një grua në zonën e Westminster, duke e kapur për krahu dhe duke e tërhequr drejt një tualeti për meshkuj. Një tjetër akuzë lidhet me sulm seksual ndaj një gruaje në Westminster mes viteve 2004–2005, përmes puthjeve dhe prekjesh të papërshtatshme. Akuzat e mbetura përfshijnë përdhunim oral dhe sulm seksual ndaj një gruaje tjetër në vitin 2004, po në Westminster.

Hetimet nisën në shtator 2023, pas publikimeve të gazetave The Sunday Times, The Times dhe emisionit investigativ të Channel 4, Dispatches. Sipas Detektiv Kryeinspektorit Tariq Farooqi, gratë që kanë bërë denoncimet po marrin mbështetje nga oficerë të trajnuar posaçërisht.

Russell Brand, i lindur në Essex dhe banues në Oxfordshire, u bë i njohur fillimisht si komedian stand-up dhe më pas si prezantues televiziv e radiofonik, përfshirë emisione në BBC Radio 2 dhe 6 Music, si dhe Big Brother’s Big Mouth. Ai më pas ndërtoi një karrierë në Hollywood, duke luajtur në filma të njohur si “Forgetting Sarah Marshall” dhe “Get Him to the Greek”.

Çështja mbetet në proces gjyqësor dhe Russell Brand konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit