Shefi i Ushtrisë së Libisë, gjenerali Mohammed Ali Ahmed al-Haddad, ka humbur jetën në një aksident ajror në Turqi, ka bërë të ditur kryeministri libian.
Gjenerali al-Haddad dhe katër persona të tjerë ndodheshin në bordin e një avioni tip Falcon 50, i cili ishte nisur nga kryeqyteti turk Ankara drejt Tripolit, mbrëmjen e së martës. Sipas autoriteteve turke, kontakti me avionin humbi rreth orës 20:52 me orën lokale, rreth 42 minuta pas ngritjes nga aeroporti i Ankarasë.
Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, bëri të ditur se avioni kishte kërkuar një ulje emergjente pak para se të humbiste sinjali. Më pas, mbetjet e avionit u gjetën në jugperëndim të Ankarasë, pranë fshatit Kesikkavak, në distriktin Haymana.
Autoritetet turke kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa është bërë e ditur se publiku do të informohet për çdo zhvillim të mëtejshëm.
Në Libi, kryeministri i Qeverisë së Unitetit Kombëtar, Abdul Hamid Dbeibeh, konfirmoi lajmin e ndarjes nga jeta të gjeneralit al-Haddad dhe zyrtarëve të tjerë të lartë ushtarakë që ndodheshin në avion. Ai e cilësoi ngjarjen si një “humbje të madhe” për vendin, duke theksuar se Libia ka humbur njerëz që i shërbyen atdheut me përkushtim dhe ndershmëri.
Gjenerali al-Haddad dhe delegacioni i tij ndodheshin në Turqi për bisedime që synonin forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ushtarak dhe të sigurisë mes dy vendeve.
Turqia ka rritur ndjeshëm ndikimin e saj në Libi që prej vitit 2019, kur ndërhyri për të mbështetur qeverinë e njohur ndërkombëtarisht në Tripoli, duke ndërtuar lidhje të forta politike, ushtarake dhe ekonomike me autoritetet libiane.