Kleringu po kthehet në një faktor serioz krize për sektorin e ndërtimit, veçanërisht për prodhuesit e materialeve bazë si tullat. Ndërsa ndërtuesit vijojnë kantierët, fabrikat e tullave po përballen me mungesë likuiditeti, deri në rrezik falimentimi.
Viktor Nikolli, administrator i një fabrike tullash në Fushë Krujë, thotë se modeli i tregtimit me klering po e çon biznesin drejt kolapsit. Sipas tij, prodhuesit janë të detyruar të pranojnë shkëmbimin e mallrave me prona, pasi kështu vepron i gjithë tregu.
“Problemi më i madh është likuiditeti. Kleringu po na shkatërron. Jemi kthyer te shkëmbimi mall me mall, si në kohët e vjetra. Shpirti i biznesit është qarkullimi i parasë,” shprehet Nikolli.
Sipas ekspertëve të tregut, kleringu favorizon ndërtuesit, por penalizon prodhuesit e materialeve. Ata theksojnë se ndërtuesit arrijnë të shpërndajnë kostot përmes kleringut dhe nuk nxitojnë të shesin pronat, duke pritur rritje çmimesh.
Kjo situatë e ka detyruar Nikollin të ndërmarrë një vendim ekstrem: mbylljen e fabrikës. “Më 20 dhjetor fabrika u fik. Për ta mbajtur në punë duhen të paktën 400 milionë lekë të vjetra në muaj. Jemi të bllokuar për pagesat,” thotë ai.
Si pasojë e kleringut, Nikolli ka përfituar dhjetëra apartamente, por sot nuk arrin t’i shesë. “Kam rreth 40 banesa në treg që nuk shiten. Çmimet janë tepër të larta dhe tregu është i bllokuar,” shton ai.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë konfirmojnë ngadalësimin e tregut, duke treguar se koha mesatare për shitjen e një apartamenti është rritur në 11.1 muaj. Ky faktor po e bën edhe më të vështirë për bizneset të kthejnë asetet në para, duke thelluar krizën e likuiditetit në sektor.