Një projekt i ri ndërtimi me përmasa të mëdha është miratuar për qendrën historike të Durrësit, shumë pranë monumenteve të kulturës dhe institucioneve kryesore të qytetit. Bëhet fjalë për ndërtimin e katër kullave të vendosura ngjitur me njëra-tjetrën, ku ndërtesa më e lartë arrin deri në 30 kate mbi tokë.
Sipas dokumenteve të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, është miratuar leja e zhvillimit për objektin “Durrësi Tower”, një kompleks banimi dhe shërbimi me 8, 17, 24 dhe 30 kate mbi tokë, si dhe 3 kate nëntokë, i vendosur në Bashkinë Durrës. Subjekt zhvillues i projektit është shoqëria “T & XH” sh.p.k.

Zona ku parashikohet ndërtimi ndodhet përgjatë Rrugës “Egnatia”, në hapësirën e Marinës, mes Portit të Durrësit dhe Sheshit “Liria”, shumë pranë godinës së bashkisë dhe bërthamës historike të qytetit. Në dokumente theksohet se kjo vendndodhje i jep projektit një rol të rëndësishëm urban dhe e shndërron atë në një pikë referimi arkitektonik.

Megjithatë, projekti ka nxitur debate për shkak të kontrastit mes promovimit të trashëgimisë historike dhe lejimit të ndërtimeve shumëkatëshe në një zonë të ndjeshme urbane. Vizualizimet tregojnë një densitet të lartë ndërtimi, me katër kulla të vendosura ngjitur, që pritet të ndryshojnë ndjeshëm siluetën e qendrës së Durrësit.

Sipas lejes, lartësia maksimale e ndërtesave arrin rreth 110 metra, ndërsa kati përdhe do të ketë funksion publik dhe komercial, me dyqane, bare, restorante dhe shërbime të ndryshme. Në katet nëntokësore janë planifikuar hapësira parkimi, ndërsa qarkullimi vertikal do të realizohet përmes ashensorëve dhe shkallëve të brendshme.

Burime mediatike bëjnë me dije se shoqëria zhvilluese ka përfituar më herët fonde të konsiderueshme nga tenderë publikë, kryesisht nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, duke ngritur pyetje mbi mënyrën se si po kanalizohen këto të ardhura drejt projekteve të mëdha ndërtimore.
Ndërsa institucionet argumentojnë se projekti synon zhvillim urban dhe gjallërim ekonomik, kritikat fokusohen te mungesa e një plani të qartë urbanistik për zonën historike dhe ndikimi afatgjatë që ndërtime të tilla mund të kenë mbi identitetin dhe trashëgiminë e qytetit të Durrësit.