Aksionerët e “Big Market” ngelin keq për 10-lekëshin e qytetarëve, mashtrojnë për ofertat

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 23.12.2025, 18:12

Skandalet që mbajnë vulën e rrjeteve të supermarketeve Big Market po shndërrohen në një histori të zakonshme, që duket se përsëritet sa herë që qytetarët shpresojnë të përfitojnë nga ofertat sezonale. Këtë herë, episodi ndodh pikërisht në prag të festave të fundvitit, një periudhë kur konsumatori është më i ekspozuar dhe besimi ndaj tregtarëve duhet të jetë maksimal.

Bëhet fjalë për supermarketin e ashtuquajtur “Big Europa” në Kamëz, ku sipas të dhënave, aksionet zotërohen nga deputeti socialist Vullnet Sinaj dhe znj. Monika Çela. Pikërisht aty, qytetarë të thjeshtë janë përballur me një praktikë që nuk mund të quhet ndryshe veçse mashtrim i hapur.

Birra Tuborg ishte e ekspozuar me etiketë oferte, por në momentin e pagesës në arkë, çmimi rezultoi të ishte ai fillestar. Me pak fjalë: oferta ekzistonte vetëm në letër. Një grackë klasike për konsumatorin, që shpreson të kursejë disa lekë dhe përfundon duke paguar më shumë, pa u paralajmëruar.

Ironia bëhet edhe më e madhe kur qytetarët provojnë të njëjtën blerje në Big Prime, ku produkti shitet realisht me çmimin e ofertës. Të dyja mbajnë emrin “Big”, por ka diçka ndryshe , bashkëaksionere me socialishtin nuk është Monika Çela, por dikush tjetër.

Nuk është hera e parë që ndodh diçka e tillë. JOQ ka publikuar më herët një rast të ngjashëm në një Big Market, ku skema e mashtrimit ishte identike. Kjo tregon qartë se nuk kemi të bëjmë me një “gabim njerëzor”, por me një model të përsëritur abuzimi.

Problemi këtu nuk është 10-lekëshi. Problemi është mentaliteti: nënvlerësimi i qytetarëve dhe trajtimi i tyre si konsumatorë pa zë, që mund të mashtrohen pa pasoja. Me të drejtë lind pyetja: A është një aksionere e një kompanie të madhe kaq e varfër moralisht, sa të përfitojë nga 10 lekët e qytetarëve të thjeshtë?

Në një vend normal, këto praktika do të sillnin ndëshkime, gjoba dhe reagim institucional. Në Shqipëri, ato rrezikojnë të mbeten thjesht një lajm tjetër, derisa të përsëriten sërish. Dhe kjo është pjesa më alarmante.

Denoncimi i qytetarit:

Përshëndetje JOQ! Isha duke blerë birra në një market me emrin Big Prime në Kamëz dhe pashë ofertën e birrës Tuborg 99 lekë për copë. Kur vajta në arkë, pagova 109 lekë për shishe (fatura është e bashkangjitur). Më pas, nga inati, shkova në një market tjetër më tutje dhe bleva të njëjtën birrë te Big Europa (Big Market), ku oferta ishte reale dhe në arkë e pagova sipas çmimit të afishuar. Ju lutem, publikojeni këtë material, pasi i keni të gjitha provat. Gjynah për qytetarët!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit