Një video që po qarkullon në rrjetet sociale tregon momentet e aksidentit tragjik ku humbi jetën Vince Zampella, një prej figurave më të njohura të industrisë së videolojërave dhe bashkëkrijues i “Call of Duty”.
Sipas autoriteteve amerikane, automjeti tip Ferrari ku udhëtonte Zampella ka dalë nga një tunel, është përplasur me një barrierë betoni dhe më pas është përfshirë nga flakët. Pamjet tregojnë se fillimisht disa persona të pranishëm reagojnë, por situata përkeqësohet brenda pak sekondash.
Policia e Kalifornisë ka konfirmuar se mjeti i filmuar përputhet me automjetin e drejtuar nga Zampella. Ai mbeti i bllokuar në makinë dhe humbi jetën në vendngjarje, ndërsa pasagjeri që po udhëtonte me të u nxor nga automjeti, por ndërroi jetë më vonë në spital.
Ngjarja ndodhi rreth orës 12:45 të mesditës në Angeles Crest Highway, një rrugë malore e njohur për kthesat e rrezikshme në zonën e maleve San Gabriel. Sipas të dhënave paraprake, mjeti ka dalë nga rruga, është përplasur me shkëmbinj dhe më pas ka marrë flakë.
Vince Zampella, 55-vjeç, konsiderohej një nga figurat më me ndikim në historinë moderne të videolojërave. Ai bashkëthemeloi Infinity Ward në vitin 2002, studioja që solli në jetë “Call of Duty”, një nga seritë më të suksesshme në industrinë e gaming-ut.
Më pas, Zampella bashkëthemeloi Respawn Entertainment, duke qenë pjesë e projekteve të njohura si Titanfall, Apex Legends dhe Star Wars Jedi: Fallen Order. Studioja u ble nga Electronic Arts në vitin 2017, duke u kthyer në një prej shtyllave kryesore të kompanisë.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka shkaktuar reagime të shumta në komunitetin e lojërave. Prezantuesi i “Game Awards”, Geoff Keighley, e cilësoi Zampellën si një mik të ngushtë dhe një krijues që gjithmonë vepronte me ndershmëri dhe përkushtim.
Edhe Infinity Ward reagoi me një mesazh ngushëllimi, duke theksuar se Zampella do të ketë gjithmonë një vend të veçantë në historinë e kompanisë dhe të industrisë së videolojërave.