Rriti çmimin e biletës në 50 lekë, ‘Shpresa.al’ merret nën hetim nga Autoriteti i Konkurrencës

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 23.12.2025, 17:19

Autoriteti i Konkurrencës ka bërë të ditur se ka nisur një hetim ndaj kompanisë SHPRESA – AL SHPK, pas rritjes së çmimit të biletës në transportin publik për linjat “Kamëz – Tiranë – Kamëz” dhe “Paskuqan – Babrru – Tiranë”.

Sipas një vendimi të Këshillit Bashkiak Kamëz, çmimi i biletës për pasagjerët që udhëtojnë me autobusët e SHPRESA – AL SHPK, e cila është operatori i vetëm i licencuar në këto linja, ka arritur në 50 lekë, duke shënuar një rritje prej 10 lekësh krahasuar me dy muaj më parë. Po ashtu, Bashkia Kamëz ka rritur edhe çmimin e abonesë mujore, në 1400 lekë, ndërsa çmimi i abonesë së përgjithshme është caktuar 1600 lekë.

Vlen të theksohet se tarifa e transportit publik qytetas në Bashkinë Kamëz është aktualisht më e larta në rang kombëtar. Autoriteti i Konkurrencës sqaron se arsyeja e nisjes së hetimit lidhet me faktin se, nga vlerësimi paraprak, rezulton mungesa e analizave ekonomike dhe financiare që do të justifikonin rritjen e tarifave.

Njoftimi:

Autoriteti i Konkurrencës hap hetim paraprak në transportin urban në Kamëz

Pas ankesave dhe shqetësimeve publike për rritjen e çmimeve të biletave dhe aboneve, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur hapjen e hetimit paraprak ndaj SHPRESA – AL SHPK.

Linjat e përfshira

· Kamëz – Tiranë – Kamëz

· Paskuqan – Babrru – Tiranë

SHPRESA – AL SHPK rezulton operatori i vetëm i licencuar, duke zotëruar pozitë dominuese në treg.

Nga vlerësimi paraprak, mungojnë analiza ekonomike dhe financiare që të justifikojnë rritjen e tarifave.

Periudha e hetimit: 1 janar 2025 – 12 dhjetor 2025

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit