Zjarrfikësit që shërbejnë në Portin e Durrësit ngrenë shqetësimin për mosrespektimin e të drejtave të tyre financiare, duke denoncuar vonesat dhe mungesën e pagesave që u takojnë me ligj.
Sipas një denoncimi të mbërritur në redaksinë tonë, punonjësit e shërbimit zjarrfikës në port bëjnë me dije se edhe pse prej më shumë se një viti ka hyrë në fuqi një Vendim i Këshillit të Ministrave për shtesë të pagës, kjo gjë ende nuk është zbatuar.
Përveç kësaj, ata raportojnë se nuk janë paguar as orët shtesë të punës, veçanërisht ato shërbime që kanë kryer jashtë territorit të portit, në raste emergjencash apo angazhimesh të posaçme.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga zjarrfikësit lidhet edhe me mungesën e shpërblimit të fundvitit. Sipas tyre, ndryshe nga zjarrfikësit e tjerë në vend që e kanë përfituar këtë shpërblim, punonjësit e shërbimit zjarrfikës në Portin e Durrësit kanë mbetur jashtë skemës, pa asnjë sqarim zyrtar.
Zjarrfikësit theksojnë se ndihen të diskriminuar dhe të neglizhuar, pavarësisht rrezikut dhe përgjegjësisë së lartë që mbart puna e tyre. Ata i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse që të reagojnë sa më parë, duke kërkuar zbatimin e VKM-së për shtesën e pagës, shlyerjen e orëve shtesë të punës dhe dhënien e shpërblimit të fundvitit.
Në mesazhin e mbërritur në redaksi, zjarrfikësi shprehet: “Përshëndetje! Kisha një ankesë nëse mundeni ta postoni ju lutem. Punoj tek Porti i Durrësit si zjarrfikës, dhe nuk na kanë dhënë as shtesën e pagës që është bërë para një viti me VKM, dhe është në fletoren zyrtare, as orët shtesë që kemi dalë jashtë portit në shërbim. As shpërblim për këtë fundvit nuk na kanë dhënë! Të gjithë zjarrfikësit e tjerë kanë marrë, vetëm te porti jo. Nëse mundeni ta postoni dhe i kërkojmë institucioneve që të reagojnë. Faleminderit shumë!”