Hetimet për atentatin mafioz të ndodhur më 11 nëntor 2025 në Rinas, ku mbetën të vrarë krahu i djathtë i Emiliano Shullazit, Gilmando Dani dhe agjenti i AMP-së, Mustafa Sheqeri alias Muçi Sheljani, kanë shënuar zhvillime të reja. Policia kriminale e Tiranës ka shoqëruar dhe marrë në pyetje disa persona, të dyshuar se posedojnë informacion mbi përdorimin e një automjeti tip “Toyota” me targa greke, i cili dyshohet se është përdorur në ngjarjen e rëndë.
Sipas gazetarit Qyno ndër personat e shoqëruar rezulton edhe një shtetas me emrin Betim…, i cili më pas është lënë i lirë. Ky person është identifikuar përmes pamjeve filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë.
Në kuadër të hetimeve dhe me qëllim lokalizimin e automjetit, policia ka sekuestruar dhe analizuar një numër të madh pamjesh filmike. Vetëm një prej këtyre kamerave ka fiksuar momentin kur Betimi… afrohet pranë një makine tip “Toyota”, shumë e ngjashme me atë që dyshohet se u përdor në atentatin e dyfishtë.
Pamjet janë regjistruar disa ditë përpara ngjarjes, çka tregon se automjeti ka qenë në lëvizje në zonën Rinas–Fushë Krujë. Në video, Betimi shihet teksa u jep disa paketa cigare personave që ndodheshin brenda automjetit.
Pikërisht ky detaj ka çuar policinë e Tiranës që disa ditë më parë ta shoqërojë dhe ta marrë në pyetje Betim…. Gjatë dëshmisë së tij, ai fillimisht ka deklaruar se nuk e mbante mend episodin, por pasi është njohur me pamjet filmike, ka pranuar se u kishte dhënë paketa cigare personave në automjetin “Toyota”.
Megjithatë, Betimi ka pretenduar se nuk ishte në gjendje të identifikonte apo të kujtonte fytyrat e personave që ndodheshin brenda makinës. Ai nuk ka arritur të identifikojë asnjë prej tyre as kur policia i ka paraqitur fotografi të personave të dyshuar si të përfshirë në këtë atentat.
Në këto rrethana, grupi hetimor ka vendosur ta lërë të lirë Betim…, ndërsa hetimet vijojnë me shoqërimin dhe marrjen në pyetje të personave të tjerë, në përpjekje për të zbardhur plotësisht atentatin dhe për të identifikuar autorët.