The Washington Times i ka kushtuar një artikull Shqipërisë, duke e përshkruar vendin si një “narko-shtet” për shkak të përhapjes së krimit të organizuar dhe trafikut të drogës. Vrasja mafioze e Gilmando Danit pranë aeroportit të Tiranës më 11 nëntor, një nga drejtuesit e rrjetit kriminal Shullazi, evidenton forcën e bandave dhe ndikimin e tyre në jetën publike dhe ekonomike të vendit. Sipas raportimit, rrjetet kriminale shqiptare janë bërë pikë kyçe për trafikun e drogës drejt Evropës dhe lidhen me kartele ndërkombëtare, duke rritur rrezikun e destabilizimit të vendit.
Artikulli shkruan se ky fenomen e ka kthyer Shqipërinë në një narko-shtet dhe kërkojnë shpalljen e karteleve shqiptare si organizata narko-terroriste nga qeveria amerikane. Ekspertët theksojnë se grupet kriminale përdorin industrinë e ndërtimit, sistemin informal financiar “hawala” dhe tregtinë e drogës për të pastruar para dhe për të ndikuar në politikë dhe drejtësi, duke minuar institucionet dhe stabilitetin e vendit.
Raporti i The Washington Times nënvizon se kjo situatë e bën Shqipërinë një “hallkë të dobët” për aleancat ndërkombëtare dhe një pikë të lehtë shfrytëzimi nga fuqitë e huaja. Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se krimi i organizuar kontrollon pjesë të rëndësishme të ekonomisë, politikës dhe sistemit të drejtësisë, duke e kthyer vendin në një model tipik të narko-shtetit, me pasoja serioze për sigurinë rajonale dhe integritetin e aleancës NATO.