Avokati Maks Haxhia u paraqit këtë të martë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për të marrë kopje të dokumentacionit që lidhet me dosjen e klientit të tij, Ergys Agasi. Në një prononcim për mediat, ai deklaroi se një pjesë e informacioneve nga dosja janë bërë publike në media, ndërkohë që as ai dhe as vetë Agasi nuk janë pajisur ende me materialet zyrtare të hetimit.
Haxhia theksoi se në dokumentacion nuk ekzistojnë prova që e lidhin Agasin me tendera apo me rrëmbimin e një personi, duke mohuar çdo përfshirje të tij në veprimtari të paligjshme. Sipas avokatit, Agasi ndodhet aktualisht jashtë vendit për arsye biznesi dhe do të vetëdorëzohet sapo të kthehet në Shqipëri. Ai shtoi se publikimi i të dhënave para dorëzimit zyrtar palëve krijon keqinterpretim dhe po përdoret politikisht.
Duke iu referuar akuzave për rrëmbimin e Gerond Meçes, Haxhia deklaroi se klienti i tij nuk e njeh fare personin në fjalë dhe nuk ka asnjë lidhje me emërime apo tendera shtetërorë. Ai nënvizoi se Agasi nuk ka përfituar asnjë tender publik dhe se filmimet e përmendura në hetim lidhen vetëm me masa sigurie për mbrojtjen e biznesit të tij, duke i cilësuar pretendimet ndaj tij si një “gjueti shtrigash”.