Kushtet skandaloze të punës dhe paga e 13-të e mohuar, zjarrfikësit drejt grevës

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 23.12.2025, 12:02

Një grup zjarrfikësish i janë drejtuar redaksisë tonë për të denoncuae shkeljen e vazhdueshme të të drejtave të tyre ligjore.

Ata denoncojnë mungesën e pagës së 13-të, e cila nuk është dhënë prej 14 vitesh, pavarësisht se është e sanksionuar me ligj, dhe paralajmërojnë se nëse situata nuk ndryshon, mund të hyjnë në grevë.

Zjarrfikësit shprehen se përballen çdo ditë me rrezik ekstrem, lodhje të madhe fizike dhe psikologjike, dhe punojnë në kushte skandaloze. Ata theksojnë se janë ndër më të keqpaguarit në rajon, duke mbetur pas vendeve si Kosova, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina.

Problemet kryesore që denoncojnë janë: mungesa e ushqimit gjatë shërbimit, pagat shumë të ulëta në raport me rritjen e çmimeve dhe mosdhënia e pagës së 13-të prej 14 vitesh, me justifikimin se “shteti nuk ka para”.

Zjarrfikësit ngrenë shqetësimin se ndërkohë që atyre u mohohen të drejtat, zyrtarë të lartë shtetërorë shpenzojnë miliona euro për luks dhe jetë mondane – një shumë që, sipas tyre, do të mjaftonte për të paguar pagën e 13-të për të gjithë shërbimin zjarrfikës.

Ata i kërkojnë qeverisë zbatimin e menjëhershëm të ligjit dhe dhënien e pagës së 13-të, e cila u është mohuar prej më shumë se një dekade.

Denoncimi i plotë:

Përshëndetje JOQ, Duke qenë se shoqata jonë e zjarrfikësve të Shqipërisë, ashtu si edhe sindikatat e punonjësve civilë dhe të administratës, janë të kapura politikisht dhe nuk gjejnë guximin të flasin e të ngrenë zërin për të drejtat tona të sanksionuara me ligj – konkretisht për dhënien e pagës së 13-të, si dhe për një sërë problematikash të tjera serioze – jemi të detyruar t’i drejtohemi medias tuaj për ta bërë këtë çështje publike.

Shërbimi zjarrfikës i Republikës së Shqipërisë përballet çdo ditë me sfida dhe vështirësi ekstreme, të pakrahasueshme me profesionet e tjera. Nuk është se shtetarët nuk janë të informuar për këtë realitet, por tallja dhe neglizhenca ndaj nesh duhet të marrin fund. Në të kundërt, zjarrfikësit do të detyrohen të hyjnë në grevë për mbrojtjen e të drejtave të tyre ligjore.

Një pjesë e konsiderueshme e zjarrfikësve të Shqipërisë nuk pranojmë më që të drejtat tona ligjore të injorohen nga Qeveria dhe nga i gjithë spektri politik. Për këtë arsye kemi rënë në konsensus që t’i drejtohemi medias JOQ, si një nga të paktat media që perceptohet si e pavarur dhe që mbron të drejtën e publikimit të qytetarëve shqiptarë, pa rezerva.

Dëshirojmë t’ju bëjmë me dije se zjarrfikësit në Shqipëri punojnë dhe qëndrojnë në vendin e punës në kushte mjerane. Madje, po të bëjmë një krahasim, edhe kafshët në vendet e Bashkimit Europian jetojnë në kushte më të mira se ne – kushte që zjarrfikësit shqiptarë do t’i kishin zili. Këtë e themi sepse, ndërkohë që politikanët prej vitesh propagandojnë integrimin në BE, harrojnë faktin se zjarrfikësit në Shqipëri janë ndër më të keqpaguarit në rajon, krahasuar me Kosovën, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjën e Hercegovinën, etj.

Kushtet e punës janë skandaloze:

nuk trajtohemi me ushqim,

pagat janë tepër të ulëta në raport me rritjen e përditshme të çmimeve,

dhe paga e 13-të, e cila është e sanksionuar me ligj, nuk është dhënë prej 14 vitesh.

Kjo pagë na është mohuar vazhdimisht me justifikimin se “shteti nuk ka para”. Por ne jetojmë në Shqipëri dhe jemi të informuar për zhvillimet politike dhe hetimet ndaj korrupsionit shtetëror. Shohim se si politikanë, ministra, drejtorë dhe zyrtarë të lartë janë pasuruar në mënyrë të paligjshme, në përmasa të tilla saqë vetëm luksi i tyre – për shembull shpenzime miliona euro për verë apo jetë mondane – do të mjaftonte për të mbuluar pagesën e 13-të për të gjithë shërbimin zjarrfikës në vend.

Ne u bëjmë thirrje të gjithë kolegëve zjarrfikës të jenë të ndërgjegjshëm dhe të bashkuar për të luftuar dhe mbrojtur të drejtat që na takojnë me ligj. Qeveria nuk duhet të jetë më debitore ndaj shërbimit zjarrfikës. Ne nuk duhet të nënshtrohemi përballë padrejtësive, por të kërkojmë atë që parashikon ligji.

Kërkojmë nga Qeveria shqiptare zbatimin dhe sanksionimin e plotë ligjor të pagës së 13-të, e cila na është mohuar – ose e vjedhur – prej 14 vitesh.

Faleminderit kolegëve për unitetin dhe medias për publikimin. U falenderojme perzemersisht.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit