Këshilli Ministror i Komunitetit të Energjisë së Bashkimit Europian ka ndëshkuar Shqipërinë duke e penalizuar në projektet e fushës së energjisë, për shkak të mos përmbushjes së detyrimeve të marra nga qeveria shqiptare. Vendimi është marrë më 18 dhjetor në Vjenë dhe parashikon një sërë detyrash që Shqipëria duhet t’i realizojë brenda korrikut 2026, në të kundërt rrezikon masa edhe më të ashpra.
Sipas vendimit, Shqipëria ka dështuar të miratojë dhe zbatojë në kohë legjislacionin dhe rregulloret e nevojshme për t’u përputhur me direktivat dhe rregulloret e Bashkimit Europian në sektorin e energjisë elektrike, veçanërisht ato që lidhen me përgatitjen ndaj rrezikut, funksionimin e tregut të brendshëm të energjisë, menaxhimin e krizave dhe operimin e sistemit të transmetimit. Gjithashtu, autoritetet shqiptare nuk kanë raportuar pranë Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë për masat e ndërmarra, duke shkelur vendime të mëparshme dhe nenet e Traktatit.
BE kërkon që Shqipëria të marrë menjëherë masa për korrigjimin e shkeljeve dhe të raportojë rregullisht gjatë vitit 2026 mbi hapat e ndërmarrë. Nëse deri më 1 korrik 2026 këto probleme nuk zgjidhen, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë mund të nisë procedurë sanksionuese, e cila përfshin pezullimin e të drejtës së votimit dhe përjashtimin e Shqipërisë nga mekanizma dhe mbledhje të rëndësishme të këtij komuniteti.