Një pamje e rrallë dhe mbresëlënëse është regjistruar mëngjesin e sotëm në Kukës, ku një arushë e rritur është shfaqur së bashku me tre këlyshët e saj duke kaluar qetësisht në rrugën kryesore të fshatit Kolesjan. Prania e familjes së arinjve në afërsi të zonës së banuar ka tërhequr vëmendjen e banorëve dhe ka sjellë një moment të pazakontë për zonën.
Ngjarja u dokumentua nga një banor i fshatit, Niki Ismailja i cili po lëvizte me automjet dhe arriti të fotografojë arushën me këlyshët e saj pa u rrezikuar. Në foto, kafshët duken të qeta dhe shihet që po lëvizin së bashku, duke respektuar instinktin natyror të nënës për të mbrojtur të vegjlit. Raste të tilla janë të shpeshta në periudhat kur arinjtë zbresin nga zonat malore në kërkim të ushqimit.