Thellohet skandali i “Air Albania”: Punonjësit pa paga prej muajsh, kompania shet bileta online dhe anulon fluturimet!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 23.12.2025, 00:39

Një punonjës i kompanisë ajrore Air Albania i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar atë që tashmë po shihet hapur si rrëshqitja e kompanisë drejt falimentimit. Sipas tij, situata financiare është jashtë kontrollit dhe pasojat më të rënda po i vuajnë punonjësit dhe qytetarët.

Punonjësi bën me dije se stafi i Air Albania ka rreth katër muaj pa marrë paga, ndërsa sigurimet shoqërore nuk janë paguar prej më shumë se një viti e gjysmë. Ai thotë se kjo gjendje ka krijuar pasiguri të plotë për qindra familje që varen nga kjo punë.

Sipas informacionit të dhënë, disa nga avionët e kompanisë janë tërhequr ose sekuestruar nga kompanitë pronare për shkak të qirave mujore të papaguara. Një avion tjetër i marrë me qira nga një kompani bullgare ka mbetur përkohësisht në përdorim, por edhe atij i është hequr licenca e operimit pasi nuk plotësonte kushtet minimale të kërkuara nga Autoriteti i Aviacionit Civil.

Pavarësisht këtij realiteti, Air Albania vijon të shesë bileta online, ndërkohë që fluturime të shumta anulohen në moment të fundit. Sipas denoncimit, pasagjerët shpesh mbeten pa asnjë sqarim dhe, në shumë raste, pa rimbursim të parave, duke u lënë në mëshirë të fatit.

Punonjësi denoncon gjithashtu se anulime të fluturimeve ndodhin edhe për arsye jo komerciale, pasi avionët përdoren për udhëtime zyrtare qeveritare, ndërsa pasagjerët e zakonshëm mbeten të bllokuar dhe pa zgjidhje.

Ky denoncim përforcon një sërë ankesash të publikuara më herët në JOQ Albania, ku dhjetëra pasagjerë kanë raportuar anulime të përsëritura, mungesë totale informacioni, zyra të mbyllura dhe një kaos komunikimi mes Air Albania dhe Turkish Airlines për fluturimet e përbashkëta.

Situata e krijuar po ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin real të kompanisë ajrore, e cila u promovua me bujë si “linja kombëtare”, por sot duket se po shembet mbi kurrizin e punonjësve dhe qytetarëve.

JOQ Albania i bën thirrje institucioneve përgjegjëse të reagojnë urgjentisht për të sqaruar situatën financiare të Air Albania, për të mbrojtur të drejtat e punonjësve dhe për të garantuar që qytetarët të mos vazhdojnë të humbasin paratë e tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit