Policia italiane ka zbardhur detaje nga operacioni i madh antidrogë i zhvilluar sot në Pescara, ku u arrestuan 16 persona, mes tyre edhe shqiptarë. Nga të arrestuarit dhe të proceduarit, 11 janë identifikuar me emër dhe fotografi, ndërsa tre janë gra, përfshirë një shqiptare me shtetësi italiane, Sulejman Neziri (njëri prej të dyshuarve), që mban mbiemrin Mazzarelli. Shumica e të përfshirëve rezultojnë të kenë lidhje familjare.
Karabinierët Pescara ekzekutuan 16 urdhra paraprake arresti, nëntë në burg dhe shtatë në arrest shtëpiak, të lëshuara nga gjyqtari i hetimeve paraprake me kërkesë të Prokurorisë Publike të Pescara-s. Operacioni, i quajtur “MareMagnum”, përfshiu zonat e Pescara-s dhe Montesilvano-s, duke zbuluar një rrjet të gjerë trafiku droge, që shtrihej edhe deri në Shqipëri.
Hetimet, të nisura në mars 2024, zbuluan një organizatë të strukturuar kriminale me anëtarë me kombësi italiane dhe shqiptare. Rrjeti merrej kryesisht me trafikimin e kokainës dhe shantazhonin personat që kishin borxhe droge, mes tyre mjekë, avokatë dhe biznesmenë lokalesh dhe restorantesh.
Autoritetet shpjegojnë se rrjeti operonte në mënyrë të qëndrueshme dhe diskrete, shpesh duke përdorur lidhjet familjare për të mbajtur kontrollin mbi tregun. Përfitimi i tij mujor arrinte mbi 150,000 euro. Në rast mospagesash ose mosmarrëveshjesh, përdorej kërcënimi dhe dhuna për të rivendosur kontrollin.
Droga shitej kryesisht në zonat e jetës së natës të Pescara-s, komplekset rezidenciale të Montesilvano-s, si dhe në restorante dhe vendpushime plazhi të frekuentuara nga klientë me status socio-ekonomik të lartë.
Gjatë hetimeve, karabinierët sekuestruan rreth dy kilogramë kokainë dhe arrestuan disa persona të përfshirë në trafikun e paligjshëm. Provat kryesore u bazuan në përgjime telefonike, mjedisore dhe kompjuterike, të cilat ishin vendimtare për dokumentimin e veprimtarisë së organizuar të rrjetit.
Operacioni “MareMagnum” vlerësohet si një goditje e rëndësishme ndaj trafikut të drogës dhe një shembull i bashkëpunimit të suksesshëm midis autoriteteve hetimore dhe prokurorisë për të çmontuar rrjete kriminale të ndërlikuara.