Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka publikuar vendimet disiplinore lidhur me ngjarjet e fundit në kampionatet kombëtare, ku vëmendja kryesore ka qenë dhuna e ushtruar në Vlorë gjatë ndeshjes mes Flamurtarit dhe Teutës.
Pas shqyrtimit të rasteve, Disiplina ka mbajtur një qëndrim të ashpër, duke mos toleruar shkeljet e rënda të sigurisë. Klubi i Flamurtarit është dënuar të zhvillojë 8 ndeshje pa praninë e tifozëve, si dhe me një gjobë prej 500 mijë lekësh.
Sipas vendimit zyrtar, Flamurtari FC është ndëshkuar për dështim në përmbushjen e detyrimeve organizative, duke lejuar hyrjen e personave të paautorizuar në fushën e lojës dhe duke mos garantuar sigurinë e futbollistëve të ekipit kundërshtar. Vendimi është marrë në bazë të disa neneve të Kodit të Disiplinës dhe Etikës (KDE), ndërsa theksohet se, për shkak të rëndësisë së shkeljeve dhe cenimit të interesit publik të garës, masa e zhvillimit të ndeshjeve pa spektatorë nuk mund të konvertohet në asnjë formë tjetër.
Përveç rastit të Flamurtarit, Komisioni i Disiplinës ka marrë masa edhe për shkelje të tjera në kategori të ndryshme:
Bazio Tragaj (zyrtar i KF Vora), për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 4 ndeshje pezullim.
Adolf Selmani (KF Iliria), për sjellje josportive ndaj zyrtarëve, dënohet me 4 ndeshje pezullim.
Aldor Çekiçi (FK Pogradeci U-19), për sjellje josportive ndaj zyrtarëve, dënohet me 4 ndeshje pezullim.
Igli Xhajollari (FK Pogradeci U-19), për sulm ndaj lojtarëve kundërshtarë, dënohet me 5 ndeshje pezullim.
Klisman Kallajxhiu (KF Shkodra U-19), për sulm ndaj lojtarëve kundërshtarë, dënohet me 5 ndeshje pezullim.
Enes Pelushaj (Rinia EL U-15), për sjellje josportive ndaj zyrtarëve, dënohet me 5 ndeshje pezullim.
Mateo Meta (KF Shënkolli U-14), për sulm ndaj lojtarëve kundërshtarë, dënohet me 5 ndeshje pezullim.
Vendimet e fundit të Komisionit të Disiplinës tregojnë qartë se dhuna dhe sjelljet jashtë normave sportive nuk do të tolerohen, duke synuar garantimin e sigurisë dhe integritetit të garave në të gjitha nivelet e futbollit shqiptar.