Zbardhen detaje të reja nga dëshmia tronditëse e biznesmenit Gerond Meçe, i cili u mor peng në një operacion të mirëfilltë presioni për llogari të garave në prokurimet publike. Meçe ka rrëfyer për hetuesit orët e tmerrit nën shoqërinë e personave me maska, të cilët, sipas tij, vepronin si një strukturë e organizuar për ta detyruar të tërhiqej nga ankimimet në KPP për tenderat e AKSHI-t.
Sipas dëshmisë, rrëmbyesit kishin një plan të mirëmenduar për të mbajtur situatën nën kontroll. Gjatë kohës që mbahej i lidhur me pranga, Meçe u detyrua të fliste me bashkëshorten dhe vëllanë e tij për t’i qetësuar.
"Më lanë të flisja me gruan, i thashë: 'Zemër jam mirë, do të marr më vonë'. Këtë e bëra sepse vëllai po binte telefonit pa pushim dhe personat me maska më urdhëruan ta qetësoja, që të mos kishte denoncim në polici," shprehet biznesmeni në dëshminë e tij.
Biznesmeni tregon se lirimi i tij nuk ishte i rastësishëm, por i lidhur drejtpërdrejt me veprimet e kompanisë së tij në sistemin elektronik të prokurimeve.
Ora 15:10: Rrëmbyesit prisnin në ankth një konfirmim në telefon.
Ora 16:20: Sapo u konfirmua se administratori i kompanisë kishte bërë tërheqjen nga tenderat, biznesmeni u la i lirë në rrugën nacionale Elbasan-Tiranë, në zonën e Gracenit.
Meçe hedh dyshime se grupi kishte informatorë brenda Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), të cilët konfirmonin në kohë reale nëse kompania ishte tërhequr apo jo nga ankimimet.
Momentet e fundit para lirimit kanë qenë edhe më të rëndat. Sipas dëshmisë, shoferi i mjetit ku mbahej peng e ka kërcënuar me jetën e familjarëve nëse ai vendoste të fliste me drejtësinë. "Nuk dua probleme, nuk dua denoncim. Në të kundërt do të vrasim ty, gruan, motrën dhe nënën, se babë nuk ke ti", kanë qenë fjalët e fundit të një prej rrëmbyesve para se t'i hiqnin prangat.
Gerond Meçe ka drejtuar gishtin nga emra konkretë, duke pretenduar se pas këtij akti qëndrojnë interesat e shtetasit Ermal Beqiri dhe lidhjeve të tij. Ai argumenton se pas çdo procedure ankimimi që kompania e tij bënte, qëndronin kompani të lidhura me Beqirin. Biznesmeni gjithashtu denoncon faktin se KPP mori vendim për mospranimin e pezullimit të tërheqjes vetëm një ditë më pas, pavarësisht se kompania e tij kishte njoftuar zyrtarisht se sistemi ishte "hakëruar" (nën presion) gjatë kohës së pengmarrjes.