Një aksident rrugor është regjistruar ditën e sotme në vendin e njohur si “Kthesa e Vajkanit”, në qytetin e Fierit. Si pasojë e përplasjes së dy automjeteve, ka mbetur e plagosur një pasagjere, e cila është transportuar menjëherë drejt spitalit rajonal dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Në aksident janë përfshirë dy mjete, një automjet tip 'Benz' dhe një 'Fiat Panda'. Nga përplasja e fortë, automjeti tip Benz ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal, ndërsa mjeti tjetër ka pësuar dëmtime materiale.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe ambulanca, të cilat kanë ndërhyrë për dhënien e ndihmës së parë dhe për normalizimin e qarkullimit rrugor.
Policia po kryen veprimet hetimore për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit, ndërsa priten informacione të tjera lidhur me gjendjen shëndetësore të të plagosurës.