Është publikuar videoja e konfliktit të ndodhur në Vlorë, ku disa persona janë përplasur me punonjës të INUV-it gjatë një aksioni për lirimin e hapësirave publike. Në incident janë përfshirë drejtori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, një inspektor, si edhe efektivë të policisë.
Ngjarja ka ndodhur në hyrje të qytetit të Vlorës, gjatë një aksioni të përbashkët të Policisë Bashkiake dhe IMT-së për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme. Sipas burimeve, forcat e IMT-së dhe Policisë Bashkiake janë kundërshtuar fillimisht verbalisht dhe më pas janë dhunuar nga katër persona, të cilët kanë tentuar të pengojnë aksionin.
Pas konstatimit të sherrit, në vendngjarje kanë ndërhyrë efektivët e qarkullimit rrugor për të neutralizuar situatën. Gjatë ndërhyrjes në ambientet e një lavazhi, një prej efektivëve është goditur me grushte nga pronari i lavazhit, i cili rezulton të jetë punonjës i Policisë Bashkiake. Për shkak të rrezikut, efektivi është detyruar të nxjerrë armën e shërbimit dhe të qëllojë në ajër për të shpërndarë personat e përfshirë.
Pronari i lavazhit, së bashku me babain dhe vëllain e tij, kanë vijuar kundërshtimin ndaj punonjësve të shtetit, duke kaluar nga përplasja verbale në dhunë fizike ndaj anëtarëve të task-forcës.
Si pasojë e incidentit, janë ndaluar Irfan Dalipaj, 58 vjeç, Drisild Dalipaj, 27 vjeç dhe Fabio Dalipaj, 23 vjeç (babai dhe dy djemtë), të cilët dyshohet se janë përfshirë drejtpërdrejt në konflikt me drejtuesin dhe inspektorin e IMT-së.
Më pas, në ndihmë janë thirrur forcat speciale “Shqiponja”, të cilat kanë shoqëruar në ambientet e policisë të gjithë personat e përfshirë në ngjarje.