“Kantina VIP” e Ergys Agasit, si u zhduk vera miliona euro brenda natës

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 22.12.2025, 16:45

Pamjet në fjalë tregojnë të ashtuquajturën “kantinë VIP” të biznesmenit Ergys Agasi, i shpallur në kërkim nga SPAK, si pjesë e një grupi kriminal që dyshohet se rrëmbente dhe dhunonte biznesmenë, duke i detyruar të tërhiqeshin nga tenderat e AKSHI-t, të cilët më pas përfitoheshin nga vetë grupi.

Pamjet janë regjistruar para se vera të zhdukej në mënyrë të dyshimtë dy netë më parë. Për zhdukjen e saj dyshohet kushëriri i Ergys Agasit, Eno Agasi, i cili është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Tiranës për veprat penale “Veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”, “Kontrabandë e mallrave që i nënshtrohen akcizës” dhe “Magazinim i paligjshëm i tyre”.

Sipas raportimeve, e gjithë sasia e verës ishte kontrabandë dhe pa pulla fiskale, çka përkthehet në një dëm të vlerësuar rreth 400 milionë lekë për buxhetin e shtetit nga mosshlyerja e taksave. Ndërkohë, vlera totale e verës përllogaritet rreth 3 milionë euro.

Burime bëjnë me dije se në kantinë ndodheshin rreth 1 200 shishe vere luksoze, mes të cilave marka shumë të shtrenjta si “Romanée-Conti” me vlerë rreth 30 mijë euro për shishe, “Petrus” me 5 mijë euro, “Pavie” me 4 mijë euro, si edhe verëra të tjera me çmime nga 400–500 euro, si “Ornellaia”, “Gaja”, “Sassicaia”, “Opus One” etj.

Pas hartimit të procesverbalit nga oficerët e BKH-së nën mbikëqyrjen e SPAK, u njoftuan strukturat përkatëse të doganës, antikontrabandës dhe hetimit doganor për sekuestrimin e verës. Megjithatë, gjatë natës, vera u zhduk dhe asnjë shishe nuk u sekuestrua.

Në përfundim, përveç Ergys Agasit, i dyshuar për ushtrimin e dhunës ndaj biznesmenëve për përfitim tenderash, në kërkim është edhe Eno Agasi, i cili dyshohet se ka zhdukur verën me vlerë miliona euro.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit