Zaptimi i hapësirave publike në vendin tonë vijon të mbetet një problem shqetësues, pavarësisht masave të ndërmarra nga Policia Bashkiake për ndalimin e këtij fenomeni, të cilat duket se nuk kanë shërbyer si mësim për qytetarët.
Një qytetar ka denoncuar se në zonën e Bulevardit të Ri, një godinë që aktualisht po i nënshtrohet rikonstruksionit ka zënë hapësirën e parkimit të banorëve të pallatit përballë.
Në vendet e parkimit janë vendosur vazo me lule, duke e bërë të pamundur parkimin e automjeteve. Qytetari shprehet se para nisjes së punimeve aty parkoheshin 4 deri në 5 makina, ndërsa tani kjo mundësi është eliminuar plotësisht.
Ai thekson se nuk është kundër rikonstruksionit të godinës, por u bën thirrje personave që kanë zaptuar hapësirat e parkimit t’i lirojnë ato, në mënyrë që banorët të kenë mundësi të parkojnë pranë banesave të tyre. Përndryshe, ata detyrohen të përballen me vështirësinë e gjetjes së një vendi tjetër parkimi, një “mision” që kushdo që jeton në kryeqytet e di se është pothuajse i pamundur.