Policia kap ‘kriminelët e rrezikshëm’ të Vlorës, s’i lejon të shesin jashtë tregu

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 22.12.2025, 13:59

Një situatë e tensionuar është regjistruar mëngjesin e sotëm në afërsi të tregut ushqimor të qytetit të Vlorës, ku disa tregtarë fruta-perimesh janë përplasur me efektivët e Policisë.

Sipas dëshmive të siguruara nga JOQ Albania, konflikti ka nisur pasi tregtarët, për shkak të mungesës së vendeve brenda tregut, kanë dalë jashtë perimetrit të tij për të shitur mallin në një cep të trotuarit. Kjo situatë ka sjellë ndërhyrjen e menjëhershme të Policisë, e cila ka kërkuar largimin e tyre nga zona.

Ndërhyrja e uniformave blu është shoqëruar me tension dhe debate, duke agravuar situatën. Si shenjë revolte dhe dëshpërimi, disa tregtarë kanë hedhur mallin e tyre në rrugë, duke shprehur hapur pakënaqësinë ndaj mënyrës së trajtimit.

Ajo që ngre pikëpyetje është prioriteti i ndërhyrjes. Vlora prej vitesh përballet me problematika serioze të kriminalitetit, përfshirë ngjarje të rënda që shpesh mbeten pa autor. Në këtë kontekst, lind natyrshëm pyetja: pse i njëjti zell dhe vendosmëri nuk shfaqet edhe në luftën kundër krimit të organizuar, por fokusohet ndaj tregtarëve të vegjël që përpiqen të sigurojnë bukën e gojës?

Zbatimi i ligjit është i domosdoshëm, por ai duhet të shoqërohet me humanizëm, dialog dhe zgjidhje konkrete. Ndëshkimi i njerëzve që punojnë për mbijetesë, pa ofruar alternativa, vetëm sa thellon konfliktin social dhe rrit mosbesimin ndaj institucioneve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit