Janë publikuar imazhe nga rrëmbimi i biznesmenit Gerond Meçe, i ndodhur më 12 gusht të këtij viti. Në pamje shihen disa persona të veshur me uniforma policie dhe veshje që imitonin agjentët e BKH-së, të cilët i afrohen Meçes duke shfrytëzuar simbolikën e “shtetit” dhe peshën që mbartnin uniformat.
Sipas hetimeve paraprake, biznesmeni është mbajtur për disa orë nën presion dhe kërcënime, me qëllim që të tërhiqej nga ankesat e paraqitura lidhur me procedurat e tenderëve të AKSHI-t. Vetëm pasi Meçe ka pranuar të heqë dorë nga këto ankimime, rrëmbyesit e kanë lënë të lirë, duke e braktisur në një zonë rurale të qarkut të Elbasanit.


Autoritetet bëjnë me dije se dyshohet që urdhri për këtë ngjarje të ketë ardhur nga një grup kriminal i drejtuar nga Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri. Të dy personat janë shpallur në kërkim, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe përgjegjësitë e përfshira në këtë ngjarje.