Një film i ri do t’i kushtohet Nënë Terezës, duke sjellë një portret ndryshe nga ai i zakonshmi i figurës së saj. “Tereza – Një jetë mes dritës dhe hijes” vendos në qendër përvojën e saj në Kalkutë, ku shkoi në moshën 19-vjeçare si novice dhe jetoi si murgeshë e urdhrit Loreto, në një qytet të mbipopulluar, të goditur nga varfëria, sëmundjet dhe mungesa e shërbimeve shëndetësore, në vitet pas pavarësisë së Indisë nga Britania e Madhe.
Tereza, e lindur në vitin 1910 si Anjezë Gonxhe Bojaxhiu në Shkup, paraqitet si një grua që sfidoi strukturat e kishës. Pas miratimit të Vatikanit në vitin 1948, ajo themeloi në vitin 1950 urdhrin “Misionaret e Bamirësisë”, duke u larguar nga manastiri dhe duke vepruar mes më të varfërve. Filmi e paraqet atë si një figurë me autoritet dhe vendime të forta, larg idealizimit tradicional.
Produksioni ndalet edhe te polemikat që shoqëruan jetën e saj. Nënë Tereza, fituese e Çmimit Nobel për Paqen në vitin 1979 dhe e shenjtëruar në vitin 2016 nga Papa Françesku, u kritikua për kushtet në strehimoret e saj dhe për qëndrimet e saj kundër abortit. Letrat dhe shënimet e botuara në vitin 2007 tregojnë dyshime të thella shpirtërore në vitet e fundit të jetës, duke e paraqitur figurën e saj me “plasaritje” njerëzore.