Në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) zhvillohet sot, në orën 10:00, ceremonia e dorëzimit të detyrës nga drejtuesi në largim Altin Dumani te drejtuesi i ri Klodian Braho. Braho u zgjodh nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë me 7 vota dhe do të ushtrojë mandatin trevjeçar, i cili sipas ligjit nuk lejon rizgjedhje.
Altin Dumani do të vijojë detyrën si prokuror i posaçëm në SPAK. Mandati i tij përfundon në vitin 2028, në kuadër të mandatit 9-vjeçar të parashikuar nga ligji. Dumani e drejtoi SPAK pas Arben Krajës, drejtuesit të parë të institucionit.
Klodian Braho ka hyrë në sistemin e drejtësisë më 14 nëntor 2007. Ai ka shërbyer në Prokurorinë e Beratit deri në vitin 2012, në Prokurorinë e Vlorës deri në vitin 2015 dhe në Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë. Pas krijimit të SPAK, u emërua prokuror në këtë strukturë dhe aktualisht drejton Seksionin Kundër Korrupsionit. Ai ka qenë pjesë e hetimeve për inceneratorin e Elbasanit, dosjen “5D”, çështjen “Toyota Auris” dhe procedime që lidhen me zyrtarë të lartë dhe krimin e organizuar.