Banorët e fshatit Stropckë, lagjia Lart, Pogradec, paralajmërojnë për një situatë të rrezikshme pas reshjeve të shumta. Një masiv dheu ka rënë, duke bërë rrugën shumë të vështirë dhe të pasigurt për kalim. Vetëm makinat e vogla arrijnë të kalojnë me vështirësi, ndërsa fëmijët nuk lejohet të dalin me biçikleta për shkak të rrezikut nga humnerat. Banorët shprehen se situata po i detyron të mos ftojnë miqtë për festat e Vitit të Ri, ndërsa rruga është bërë jashtë mase e keqe.
Ata kritikojnë Bashkinë e Pogradecit, duke thënë se nuk ka ndërhyrë për të ndihmuar banorët. Punimet e ujësjellësit kanë prishur asfaltin dhe rruga rrëshqet shumë nga shirat e dendura. Banorët shprehin dëshpërimin e tyre, duke theksuar se përpjekjet për të rregulluar situatën bëhen vetëm gjatë periudhave të zgjedhjeve, ndërsa jeta e tyre rrezikohet çdo ditë.
"Përshëndetje, ne fshatin Stropckë, lagjia Lart, te Pogradec. Pas reshjeve të shirave ka rënë masivi i dheut, duke u bërë rruga shumë e rrezikshme. Banorëve na rrezikohet jeta duke kaluar çdo ditë. Vetëm veturat e vogla kalojnë me vështirësi. Na vjen dhe zor prej miqve, nuk i ftojmë dot për Vitin e Ri, ngase rruga është bërë jashtë mase keq. Bashkia nuk vë dorën në zemër për këta banorë. Ujësjellësi e prishi asfaltin dhe tani rrëshqiti rruga nga shirat e dendura. Askush nuk pyet, as nuk duan ta dinë se na rrezikohet jeta çdo ditë. As fëmijët nuk po i lejmë të dalin nga shtëpia me biçikleta, se kemi frikë të na bjerë në humnerë. Faleminderit prej jush nëse e postoni. Nuk ja ndjen fare bashkisë se na rrezikohet jeta çdo ditë me shpresën “hë po vijnë ta rregullojnë”, por jo, askush s’po bëhen gjallë, vetëm kur vijnë votimet kujtohen. Jemi në ditë të vështira", shkruan banori.