Detaje të reja kanë dalë në dritë nga aksioni i Byrosë Kombëtare të Hetimit në banesën e biznesmenit Ergys Agasi, ku në kuadër të hetimeve është shpallur në kërkim edhe djali i xhaxhait të Enos Agasit. Hetimi lidhet me një kantinë vere, ku ishte zbuluar një koleksion shumëvjeçar verërash i quajtur “Petrvs Pomedol”, i cili u gjet fillimisht nga agjentët e BKH-së në vilën e Agasit, por më pas u zhduk para se të sekuestrohej zyrtarisht.
Sipas të dhënave hetimore, gjatë natës Eno Agasi dyshohet se ka larguar të gjithë sasinë e verës nga kantina, duke ndërhyrë më pas edhe në sistemin e sigurisë, konkretisht duke hequr serverin e kamerave. Kur furgonët e Doganave janë rikthyer për të marrë mallin dhe për ta transportuar drejt ambienteve të ruajtjes, kanë konstatuar se shishet e verës nuk ndodheshin më në objekt.
Për këtë çështje, Eno Agasi akuzohet për pengim të zbardhjes së së vërtetës, kontrabandë të mallrave që i nënshtrohen akcizës dhe magazinim të paligjshëm. Paralelisht, Prokuroria ka nisur hetime edhe për zyrtarë të strukturave doganore, pasi malli ishte lënë në ruajtje në vilë dhe jo i sekuestruar menjëherë. Sipas inventarizimit të kryer për disa orë, dëmi i përllogaritur për buxhetin e shtetit arrin në rreth 400 milionë lekë, si pasojë e mospagimit të akcizës.