Banorët e fshatit Boçovë në Levan kanë dalë sërish në protestë, duke kundërshtuar regjistrimin e tokave bujqësore që ata i kanë punuar prej gati 30 vitesh në emër të kompanisë “Brevi Konstruksion”, me administratore Afërdita Salillarin. Sipas tyre, këto toka përbëjnë burimin e vetëm të jetesës dhe humbja e tyre do t’i linte pa asnjë mjet mbijetese, ndaj kërkojnë rikthimin e menjëhershëm të pronës.
Fermerët pretendojnë se, ndonëse kanë përfituar tokat me ligjin 7501, nuk janë pajisur asnjëherë me certifikata pronësie, ndërkohë që në Kadastrë sipërfaqet rezultojnë të jenë kaluar në pronësi të kompanisë rreth një vit më parë. Ata denoncojnë se janë penguar të futen në parcelat që kanë punuar për dekada dhe shprehin dyshime se në këto toka parashikohet ndërtimi i një parku fotovoltaik, gjë që sipas tyre bie ndesh me destinacionin bujqësor të tokës.
Fermeri Sandër Mujo i ka bërë thirrje Prokurorisë së Fierit të hetojë me urgjencë çështjen, ndërsa apeli është drejtuar edhe kreut të ri të SPAK, Klodian Braho. Banorët paralajmërojnë se nëse institucionet vijojnë të heshtin, situata mund të përshkallëzohet. Ndërkohë, Njësia Administrative Levan i ka kërkuar zyrtarisht kompanisë “Brevi Konstruksion”, ish-“Salillari Construction”, të paraqesë dokumentacionin ligjor për shfrytëzimin e rreth 10 hektarëve tokë, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.