Një qytetar nga Lezha i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar një problem serioz që, rrezikon çdo ditë jetën e banorëve të lagjes “Lalm i Ri”. Në mes të rrugës, në një zonë të banuar dhe të frekuentuar, qëndron prej kohësh një shtyllë e tensionit të lartë, e cila është kthyer në një burim real rreziku për qytetarët.
Sipas denoncimit, situata bëhet edhe më alarmante gjatë orëve të natës, pasi rruga nuk ka ndriçim publik. Në errësirë totale, shtylla është pothuajse e padukshme, duke u shndërruar në një “kurth” për këmbësorët, drejtuesit e mjeteve dhe veçanërisht për fëmijët.
Gishti i përgjegjësisë këtë herë drejtohet nga Bashkia Lezhë dhe konkretisht nga kryebashkiaku Pjerin Ndreu, i cili, sipas banorëve, nuk ka marrë asnjë masë për zgjidhjen e këtij problemi, pavarësisht rrezikut të dukshëm. Vendosja e shtyllave të tensionit të lartë në mes të rrugës shihet nga qytetarët si një vendim absurd dhe i pajustifikueshëm, që tregon mungesë planifikimi dhe neglizhencë ndaj sigurisë publike.
Banorët e lagjes “Lalm i Ri” kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga Bashkia Lezhë dhe institucionet përgjegjëse për të larguar këtë rrezik përpara se të ndodhë një tragjedi e paralajmëruar.