Shoqëria e transportit Interbuz Vlorë ka njoftuar se ditën e hënë, më 22 dhjetor 2025, do të hyjë në grevë dhe protestë paqësore, si reagim ndaj konkurrencës së hapur dhe të jashtëligjshme që, sipas saj, prej kohësh po vepron në linjën Vlorë–Tiranë, duke e çuar këtë linjë drejt falimentimit të plotë.
Në njoftimin zyrtar drejtuar mediave dhe opinionit publik, Interbuz Vlorë thekson se operon me licencë të rregullt, respekton të gjitha detyrimet ligjore, përfshirë pagesën e taksave dhe sigurimeve, si dhe garanton sigurinë e pasagjerëve. Megjithatë, kompania shpreh shqetësimin se institucionet përgjegjëse kanë dështuar të ushtrojnë kontrolle efektive dhe të zbatojnë ligjin, duke lejuar subjekte të palicencuara të ofrojnë shërbime transporti pa asnjë përgjegjësi ligjore.
Sipas Interbuz Vlorë, kjo situatë është e papranueshme dhe alarmante, pasi konkurrenca e pandershme po shkatërron transportin e ligjshëm, po dëmton operatorët korrektë dhe po cenon drejtpërdrejt interesin publik. Në këto kushte, vijimi normal i aktivitetit konsiderohet i pamundur.
Përmes kësaj proteste, shoqëria kërkon:
Ndërprerjen e menjëhershme të aktivitetit të paligjshëm në transportin e udhëtarëve;
Zbatimin e ligjit dhe kryerjen e kontrolleve reale në terren nga institucionet përgjegjëse;
Mbrojtjen e operatorëve të licencuar dhe të shërbimit publik të transportit.
Protesta do të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe synon sensibilizimin urgjent të institucioneve shtetërore dhe opinionit publik për një problem që, sipas Interbuz Vlorë, po injorohet prej një kohe të gjatë dhe po rrezikon seriozisht funksionimin e transportit të ligjshëm ndërqytetës.