Kina vendos TVSH 13% për kontraceptivët në përpjekje për të nxitur lindjet

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 21.12.2025, 10:36

Kina do të vendosë për herë të parë pas më shumë se tre dekadash taksë mbi kontraceptivët, në një masë që përputhet me përpjekjet e qeverisë për të nxitur rritjen e lindshmërisë. Sipas ligjeve më të fundit fiskale, duke nisur nga 1 janari, barnat dhe produktet kontraceptive, përfshirë prezervativët, nuk do të jenë më të përjashtuara nga TVSH-ja prej 13%.

Vendimi vjen në një kohë kur norma e lindjeve në Kinë vijon të bjerë. Sipas të dhënave të Byrosë Kombëtare të Statistikave, në vitin 2024 në Kinë lindën 9.5 milionë foshnja, rreth një e treta më pak krahasuar me 14.7 milionë lindje në vitin 2019. Për shkak se vdekjet kanë tejkaluar lindjet, India e ka kaluar Kinën si vendi më i populluar në botë që në vitin 2023.

Megjithatë, ndryshimi i taksimit është pritur me ironi dhe kritika në rrjetet sociale kineze. Shumë përdorues kanë komentuar se është absurde të mendohet se taksimi i prezervativëve do t’i nxisë njerëzit të kenë më shumë fëmijë, kur rritja e një fëmije kushton shumë më tepër sesa përdorimi i kontraceptivëve, edhe me taksë.

Ekspertët paralajmërojnë se rritja e çmimeve të kontraceptivëve mund të çojë në pasoja serioze, përfshirë shtimin e shtatzënive të paplanifikuara dhe sëmundjeve seksualisht të transmetueshme.

Në dekadat e mëparshme, rritja e shpejtë e popullsisë e kishte shtyrë Partinë Komuniste Kineze të vendoste politikën e një fëmije për familje, e zbatuar nga rreth viti 1980 deri në vitin 2015 përmes gjobave dhe ndëshkimeve të tjera. Në disa raste, gratë i nënshtroheshin aborteve të detyruara, ndërsa fëmijët e lindur mbi kufirin e lejuar nuk pajiseshin me dokumente identifikimi.

Në vitin 2015, qeveria lejoi dy fëmijë për familje dhe në vitin 2021 kufiri u rrit në tre fëmijë, ndërsa kontracepsioni më parë ishte i nxitur dhe lehtësisht i aksesueshëm, madje shpesh falas.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit