Festat nxisin importet, prodhimet turke dhe kineze pushtojnë tregun

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 21.12.2025, 10:00

Tradita e shqiptarëve për të festuar fundvitin me tryezë të bollshme familjare, e shoqëruar me rritjen e konsumit në këtë periudhë, ka ndikuar drejtpërdrejt në shtimin e importeve. Bizneset shqiptare, kryesisht ato të importit, janë paraqitur të përgatitura për këtë fluks kërkese.

Sipas panoramës së tregtisë së jashtme të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), importet gjatë muajit nëntor arritën në rreth 71 miliardë lekë. Rritja është përqendruar kryesisht te ushqimet, pijet dhe produktet e konsumit, të ndjekura nga lëndët djegëse dhe prodhimet e drurit. Ndërkohë, kategoritë e tjera të mallrave kanë shënuar rënie, duke reflektuar fokusin e tregut vetëm te produktet më të kërkuara të fundsezonit.

Ekspertët theksojnë se fundviti nxit një konsum më të lartë, çka sjell automatikisht rritje të importeve dhe, në kushtet e kërkesës së lartë, ushtron presion edhe mbi çmimet dhe inflacionin.

Në tregun e importeve këtë fundvit kanë dominuar produktet nga Kina dhe Turqia. Vetëm gjatë muajit nëntor, nga këto dy vende janë importuar mallra me vlerë 17.3 miliardë lekë. Edhe pse këto produkte blihen me kosto më të ulët, ato shiten me çmime më të larta për konsumatorin shqiptar.

“Vitet e fundit importuesit janë favorizuar nga kursi i euros, duke i blerë mallrat më lirë. Megjithatë, ndonëse çmimet e blerjes janë më të ulëta krahasuar me vendet e Bashkimit Europian, çmimet e produkteve të konsumit në tregun vendas mbeten ende të larta,” shprehen njohës të tregut.

Ndërsa importet njohin rritje, eksportet vijojnë të mbeten nën presion. Rënia është ndjerë veçanërisht në tregjet e Bashkimit Europian, kryesisht në Itali dhe Gjermani. Ndryshe paraqitet situata me Kosovën, e cila gjatë muajit nëntor ka qenë destinacioni kryesor për mallrat shqiptare.

“Ndonëse flitet për rritje të eksporteve në vitin 2025, është e nevojshme të analizohet burimi i tyre. Një pjesë e mallrave që kalojnë tranzit llogariten si eksporte. Kursi i euros ka goditur fort eksportuesit dhe, në fund të vitit, bilancet mbeten të dobëta dhe plot sfida,” theksojnë përfaqësues të biznesit.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se eksportet në muajin nëntor kanë qenë rreth 2.5 herë më të ulëta se importet, ndërsa deficiti tregtar ka arritur në 43 miliardë lekë, duke thelluar më tej hendekun mes hyrjeve dhe daljeve të mallrave në ekonominë shqiptare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit