Në fushat e Divjakës, fermerët po përballen me një situatë të rëndë ekonomike, pasi tonelata patate kanë mbetur pa u shitur dhe po magazinohen në kushte të vështira. Sipas tyre, mungesa e tregut dhe çmimet shumë të ulëta po e bëjnë të pamundur mbulimin e kostove të prodhimit.
“Pikë muhabeti, nuk ka treg. E kemi futur për shtëpia. Nuk shitet. Këto pikat e mëdha të grumbullimit herë marrin herë s’marrin. Sivjet skandal fare,” shprehet një fermer.
Fermerët thonë se edhe sasia e vogël që arrijnë të shesin detyrohen ta japin me çmime minimale. Aktualisht, patatja në Divjakë shitet nga 250 deri në 300 lekë për kilogram, por pa interes nga tregtarët, të cilët marrin vetëm 10–15 arka.
“Nuk më intereson të marr punëtor, kushton 30 mijë lekë. Vij dhe shkul me gruan. Patatet i fusim në magazinë, po u shitën mirë, po jo i hedhim në kanal,” thotë një tjetër fermer.
Sipas tyre, për shkak të të ftohtit janë të detyruar ta magazinojnë prodhimin për të shmangur dëmtimin nga bryma, por rreziku i kalbjes mbetet i lartë.
“Do i mbash deri në shkurt–mars, ose do i nxjerrësh me këtë çmim, ose do i hedhësh. Çmimi përtokë, tregu zero,” shprehet një fermer tjetër.
Fermerët fajësojnë edhe importet për situatën e krijuar, duke thënë se puna dhe djersa e tyre shkon dëm. Sipas tyre, jo vetëm patatja, por edhe kultura të tjera si karota dhe lakra po mbeten pa treg.
“Është bërë shumë e vështirë bujqësia këto 2–3 vitet e fundit. Do mbjellësh 7–8 kultura, fiton në dy dhe humbet në pesë,” theksojnë ata.
Brenda një viti bujqësor, në Divjakë mbillen rreth 600–700 hektarë patate, kulturë që përbën burimin kryesor të të ardhurave për fermerët e zonës. Megjithatë, pa një treg të qëndrueshëm dhe pa mbështetje, fermerët paralajmërojnë se rrezikojnë falimentimin.