Tre shtetas shqiptarë janë arrestuar në Itali, nën dyshimin se janë autorë të një serie vjedhjesh me thyerje në apartamente, kryesisht në zonat Val Musone dhe Vallesina. Arrestimi erdhi pas intensifikimit të hetimeve nga autoritetet italiane, pas rritjes së rasteve të raportuara ditët e fundit. Të dyshuarit, të panjohur më parë në këto zona, u vunë nën mbikëqyrje diskrete për të dokumentuar lëvizjet e tyre.
Sipas mediave italiane, tre personat lëviznin me një makinë me qira dhe bënin ndalesa të shpeshta në disa qytete, përpara se të ktheheshin në mbrëmje në vendin ku qëndronin prej ditësh. Për shkak të itinerarit të dyshimtë, ata u ndaluan nga karabinierët në momentin që po hynin në akomodimin e tyre. Gjatë kontrollit të banesës dhe automjetit u gjetën rreth 100 sende me vlerë, përfshirë ora luksoze, çanta firmato, para cash dhe mjete të përdorura për vjedhje.
Hetimet zbuluan se disa nga sendet e sekuestruara i përkisnin vjedhjeve të kryera së fundmi në të njëjtat zona dhe u identifikuan nga pronarët e banesave të grabitura. Gjithashtu, në makinë u gjetën dy palë targa të klonuara, të përdorura për të shmangur identifikimin nga sistemet e kontrollit rrugor. Tre të dyshuarit u arrestuan në flagrancë dhe ndodhen në paraburgim, në pritje të seancës gjyqësore për vlerësimin e masës së sigurisë.