SHBA sekuestron një tjetër cisternë nafte të nisur nga Venezuela

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 21.12.2025, 00:54

Shtetet e Bashkuara kanë sekuestruar një tjetër cisternë nafte që kishte dalë së fundmi nga Venezuela, duke shënuar rastin e dytë brenda këtij muaji që një anije transporti nafte ndalohet pranë brigjeve të vendit latino-amerikan.

Lajmi është konfirmuar nga Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare, ndërsa operacioni është kryer nga Rojet Bregdetare të SHBA-së, në ujëra ndërkombëtare. Sipas autoriteteve amerikane, anija është ndaluar nga një njësi speciale taktike, në një operacion të zhvilluar në orët e para të mëngjesit të 20 dhjetorit.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, ka publikuar në rrjetin X një video nga momenti i ndërhyrjes, ku shihen helikopterë amerikanë që zbresin në kuvertën e anijes, e cila mban emrin “Centuries”. Ajo deklaroi se SHBA do të vijojë ndalimin e asaj që e cilëson si transport të paligjshëm të naftës së sanksionuar.

Sipas Noem, këto ngarkesa dyshohet se përdoren për të financuar aktivitete kriminale në rajon, përfshirë trafikun e drogës dhe grupe të armatosura. “Do t’ju gjejmë dhe do t’ju ndalim”, shkroi ajo në reagimin e saj publik.

Anija “Centuries” mban flamurin e Panamasë, por sipas të dhënave detare, në vitet e fundit ka lundruar edhe nën flamujt e Greqisë dhe Liberisë. Megjithatë, ajo nuk figuron aktualisht në listën e anijeve të sanksionuara nga Thesari amerikan.

Ky veprim vjen vetëm pak ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se kishte urdhëruar një “bllokadë” ndaj cisternave të naftës që hyjnë dhe dalin nga Venezuela, si pjesë e presionit ndaj qeverisë së presidentit Nicolás Maduro.

Autoritetet venezueliane nuk kanë reaguar ende për sekuestrimin e fundit, por më herët kanë akuzuar SHBA-në se po përpiqet të përvetësojë burimet e tyre natyrore. Pas një rasti të ngjashëm disa ditë më parë, Maduro e cilësoi veprimin amerikan si “vjedhje të naftës” dhe “rrëmbim të ekuipazhit”.

Ndërkohë, SHBA ka rritur ndjeshëm praninë ushtarake në Detin e Karaibeve dhe ka kryer operacione të tjera detare kundër mjeteve që i cilëson si të përfshira në kontrabandë dhe trafik droge, veprime që kanë sjellë edhe kritika të forta brenda vetë Kongresit amerikan.

Venezuela, e cila zotëron rezervat më të mëdha të provuara të naftës në botë, mbetet e varur pothuajse tërësisht nga eksportet e naftës për financimin e buxhetit shtetëror, duke e bërë këtë përplasje me SHBA-në edhe më të ndjeshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit