Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj disa kompanive që po kryenin punime me kamionë për bartjen e dheut në rajonin e Prishtinës, për shkak të rrezikimit të sigurisë në trafik.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, sot, më 20 dhjetor 2025, njësitet e Trafikut Rajonal, gjatë kontrolleve në terren, kanë identifikuar në disa segmente të rrugëve nacionale sasi të mëdha të baltës. Këto ndotje të rrugës, sipas Policisë, paraqesin rrezik serioz për sigurinë e trafikut, veçanërisht në kushtet e vështira atmosferike, me mjegull dhe ngrica.
Ndaj personave juridikë përgjegjës janë shqiptuar gjoba në vlerë prej 1 mijë euro, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Po ashtu, kompanitë janë obliguar që menjëherë të ndërmarrin masa për pastrimin e rrugëve të ndotura.