“Korrupsioni është i keq vetëm nëse unë nuk jam pjesë e tij”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 20.12.2025, 18:05

Në një video që po qarkullon prej kohësh në rrjetet sociale, një politikan afrikan, tashmë i njohur si “Corruption is not bad guy”, thotë me një sinqeritet tronditës:

“Korrupsioni nuk është i keq. Është i keq vetëm nëse unë nuk jam pjesë e tij. Nëse jam i përfshirë, do ta mbroj”.

Një fjali që në shumë vende u mor si ironi e hidhur. Në Shqipëri? Si manual funksionimi.

Në video, sapo politikani e nxjerr këtë “perlë morale”, nga turma dëgjohet një “PO” entuziaste. Në versionin shqiptar të realitetit, ky pohim ka emër: patronazhisti dhe servili. Ai që nuk pyet pse vidhen miliona euro, por vetëm kush i vjedh. Ai që nuk zemërohet nga korrupsioni, por nga fakti se nuk është në listë.

Sepse këtu korrupsioni nuk është problem. Problem është kur korrupsioni është i të tjerëve. Kur nuk përfiton ti. Kur tenderi nuk shkon te “tanët”. Kur vila nuk është e jona. Kur miliona euro zhduken, por jo në xhepin e duhur.

Në Shqipëri, korrupsioni nuk justifikohet më. Ai mbrohet. Me pasion. Me servilizëm. Me statuse. Me komente. Me “po mirë, të gjithë vjedhin”. Me “të paktën po bën diçka”. Me “ç’rëndësi ka kush vjedh, rëndësi ka të jem unë mirë”.

Ndërkohë, politikanët kanë vjedhur miliona euro, spitale që torturojnë pacientë, rrugë që shemben, dhe një vend që po zbrazet dita-ditës. Por patronazhisti është aty. Gjithmonë gati për të thënë “PO”. Jo për drejtësinë. Jo për llogaridhënien. Por për korrupsionin… kur është pjesë e tij.

Videoja mund të jetë bërë në Afrikë. Por mesazhi është universalisht shqiptar. Sepse këtu korrupsioni nuk është më skandal. Është kulturë. Dhe kultura mbrohet.

Dhe natyrshëm lind pyetja: Sa gjatë do vazhdojmë të themi “PO”, ndërsa na vjedhin të ardhmen?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit