Prej më shumë se një muaji, një rrugë në Çorovodë është e shemburpjesërisht , duke u kthyer në një rrezik të përditshëm për qytetarët. Banorët kanë kaluar çdo ditë mbi një segment të dëmtuar, pa sinjalistikë, pa bllokim dhe pa asnjë ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse. Sot në mesditë ndodhi ajo që ishte e pashmangshme, një aksident, i cili nuk është rastësi por pasojë direkte e neglizhencës.
Kjo situatë ka qenë e njohur prej kohësh dhe megjithatë Bashkia Skrapar ka zgjedhur heshtjen. Kryetari i Bashkisë, Adriatik Mema, nuk mund të thotë se nuk ka pasur dijeni, sepse rruga ka qenë e prishur për javë të tëra dhe shqetësimi është ngritur nga qytetarët. Kur një problem i tillë lihet pa zgjidhje për kaq gjatë, nuk kemi më të bëjmë me mungesë kohe apo fondesh, por me mungesë vullneti dhe përgjegjësie.
Një bashki ekziston për të garantuar sigurinë dhe shërbimet bazë për qytetarët. Kur një rrugë e dëmtuar lihet pa asnjë masë minimale paralajmëruese dhe pret që aksidenti të ndodhë, atëherë dështimi është institucional. Sot ishte një aksident pa pasoja, nesër mund të jetë diçka më e rëndë dhe atëherë fjalët do të jenë të kota.
Qytetarët e Skraparit nuk kërkojnë privilegje, por reagim dhe veprim. Heshtja dhe mosveprimi përballë një rreziku të tillë janë të papranueshme dhe mbajnë përgjegjësi morale dhe publike. Ky nuk është thjesht një problem rruge, por një pasqyrë e mënyrës se si trajtohet jeta dhe siguria e qytetarëve.