Me afrimin e festave të fundvitit, mijëra emigrantë po rikthehen drejt vendlindjes për të festuar pranë familjarëve të tyre. Ky fluks i shtuar ka sjellë krijimin e radhëve të gjata në disa pika kufitare të vendit.
Situata më problematike paraqitet në pikën kufitare të Kakavijës, ku janë formuar radhë kilometrike automjetesh. Qytetarët raportojnë se prej më shumë se tre orësh po presin për të kaluar kufirin dhe për t’u futur në atdhe.
Ndërkohë, pavarësisht shtimit të vazhdueshëm të fluksit, sipas udhëtarëve pala greke nuk ka hapur sportele shtesë, duke vënë në funksion vetëm një sportel. Kjo ka shkaktuar bllokim dhe lodhje të madhe për qytetarët që presin në kufi.
Të gjendur përballë kësaj situate, shumë shqiptarë shprehen të zhgënjyer dhe të harruar edhe nga institucionet e shtetit të tyre, të cilat, ndonëse në dijeni të problematikës, nuk kanë ndërmarrë masa konkrete për të lehtësuar situatën.