Një përplasje mes nxënësve të shkollave është shënuar të premten pasdite në zonën e Vau Dejës, duke rikthyer vëmendjen te rritja e konflikteve mes adoleshentëve. Pas mbarimit të mësimit, disa prej tyre u mblodhën pranë vendit ku ndalojnë furgonët e transportit shkollor për të zgjidhur mosmarrëveshje të mëparshme.
Situata degradoi shpejt në përleshje fizike mes dy grupeve, ndërsa në pamje filmike të qarkulluara shihet edhe një i ri që mban një mjet prerës. Për fat të mirë, nuk pati persona të lënduar nga ky mjet dhe ndërhyrja e një qytetareje ndihmoi në shpërndarjen e nxënësve dhe qetësimin e gjendjes.
Policia u njoftua për ngjarjen, por burime bëjnë me dije se hasën vështirësi për shkak të mungesës së bashkëpunimit nga të përfshirët dhe drejtuesit e furgonëve. Sipas të dhënave paraprake, përplasja lidhet me një konflikt të nisur më herët, pas një incidenti pranë shkollës “Shejnaze Juka” në Shkodër, ku dy adoleshentë kishin mbetur të plagosur.