Në fshatin Hamil të Fierit është inauguruar busti i heroit kombëtar Adem Jashari, në një ceremoni simbolike që mblodhi banorë, të rinj, përfaqësues të medias dhe veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Alban Hebeja, përfaqësues i fshatit Hamil, tha se iniciativa për ngritjen e bustit ka lindur spontanisht dhe është realizuar falë bashkëpunimit të banorëve vendas dhe diasporës shqiptare.
Sipas tij, vendosja e bustit lidhet ngushtë me kujtimet e periudhës së luftës, kur në zonën midis fshatrave Hamil dhe Seman ishte ngritur një kamp refugjatësh nga Kosova. Banorët e zonës kishin hapur dyert e shtëpive për familjet e ardhura nga Dardania, duke krijuar lidhje dhe kujtime që kanë lënë gjurmë të thella.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë edhe veteranë të UÇK-së nga Kosova dhe Shqipëria, si dhe gazetarë, mes tyre edhe Marin Mema. Ngjarja u vlerësua si një akt nderimi dhe kujtese për sakrificën e Adem Jasharit dhe për lidhjen e fortë mes shqiptarëve kudo që ndodhen.