Një qytetare i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një rast vjedhjeje që ka ndodhur këtë të premte në dyqanin e saj, i cili ndodhet në zonën e Selvisë në Tiranë.
Sipas denoncimit dhe pamjeve filmike të dërguara në redaksi, në video shihet një burrë që qëndron fillimisht në ambientin e jashtëm të dyqanit.
Ai pret momentin kur në rrugë nuk kalon askush dhe kur shitëset ndodhen të zëna me klientë brenda, për t’i marrë një pallto pellushi nga një manekin i vendosur jashtë dyqanit, dhe më pas largohet qetësisht.
Qytetarja shprehet se nuk është hera e parë që përballet me situata të tilla, duke theksuar se edhe pse kamerat e sigurisë janë përballë dhe pamjet janë të qarta, kjo nuk duket t’i pengojë autorët e vjedhjeve. Ajo shton se vetëm dy javë më parë është vjedhur edhe një xhup tjetër, por në atë rast autori ka ardhur nga një kënd ku kamera nuk i ka kapur fytyrën.
Sipas saj, dyqani shet vetëm veshje për femra, dhe edhe palltoja e marrë ishte veshje për gra.
Mesazhi i plotë i qytetares drejtuar redaksisë së JOQ Albania:
“Përshëndetje, si jeni? Doja t’ju dërgoja këtë video, pasi nga manekinat e dyqanit na është vjedhur një pellush. Nuk është hera e parë që ndodh diçka e tillë. Pavarësisht se kamerat janë përballë dhe gjithçka shihet qartë, kjo nuk duket të jetë shqetësim për ta dhe vazhdojnë ta bëjnë të njëjtën gjë. Ata gjejnë momentin kur shitëset janë të zëna me klientë brenda dyqanit dhe vjedhin rrobat nga manekinat. Personit që e ka marrë pellushin i bëj thirrje ta kthejë mbrapsht mallin e vjedhur, përndryshe do të detyrohem të bëj denoncim në polici.”
Qytetarja apelon që personi në fjalë ta kthejë mallin e marrë, në të kundërt thotë se do t’i drejtohet organeve të rendit për të bërë kallëzim penal.