Një episod skandaloz ka ndodhur mbrëmjen e sotme gjatë ndeshjes Flamurtari–Teuta, e vlefshme për javën e 17-të të Superligës, e zhvilluar në stadiumin e Vlorës. Takimi u shoqërua me tensione të forta, përplasje në fushë dhe futjen e tifozëve në terrenin e lojës, duke detyruar arbitrin të ndërpresë ndeshjen.
Incidenti ndodhi në minutën e 69-të, në një moment kur rezultati ishte 0-1 në favor të Teutës. Fillimisht pati përplasje mes futbollistëve në fushë, situatë që u agravua edhe më tej pasi disa tifozë vendas kapërcyen gardhet rrethuese të tribunës përballë dhe hynë në fushë, duke u përfshirë në incidente me lojtarë të Teutës.
Pas futjes së tifozëve, gjyqtari kryesor Eldorian Hamiti u largua nga fusha dhe ndeshja u ndërpre për rreth 30 minuta. Gjatë kësaj kohe, forcat e rendit ndërhynë për të normalizuar situatën dhe për të larguar tifozët nga tribuna përballë e stadiumit. Sipas burimeve, kushti për rinisjen e ndeshjes ishte zbrazja e plotë e kësaj tribune.
Për disa minuta, arbitri qëndroi në dhomat e zhveshjes, ndërsa edhe delegati i ndeshjes kërkoi garantimin e sigurisë për vazhdimin normal të takimit. Vetëm pas ndërhyrjes së policisë dhe rikthimit të qetësisë, loja u rinis.
Pavarësisht kaosit dhe ndërprerjes së gjatë, ndeshja u mbyll me një fund dramatik. Flamurtari arriti të përmbyste rezultatin në minutat e mbetura të lojës, por në minutën e 97-të Jazxhi shënoi golin që shpëtoi Teutën nga humbja, duke vulosur takimin në barazim 2-2.
Episodi i Vlorës pritet të sjellë pasoja dhe masa disiplinore, ndërsa ngre sërish shqetësime serioze për sigurinë në stadiume dhe menaxhimin e ndeshjeve të Superligës.