Pothuajse po aq shqiptarë sa jetojnë brenda territorit të Shqipërisë, jetojnë edhe jashtë saj. Sipas vlerësimeve të tërthorta të Institutit të Statistikave (INSTAT), në vitin 2025 numri i shtetasve shqiptarë të larguar që nga vitet ’90 llogaritet në rreth 2.256.346 persona, ose 49% e popullsisë shqiptare gjithsej.
Këto shifra krahasohen me të dhënat e fundit të Censit të Popullsisë, sipas të cilit në Shqipëri jetojnë 2.402.113 banorë.
Të dhënat tregojnë se diaspora shqiptare ka një profil kryesisht të ri. Grupi i moshës 15–64 vjeç përbën peshën kryesore të emigrantëve, ndërsa fëmijët deri në 14 vjeç përbëjnë rreth 18% dhe personat mbi 65 vjeç rreth 5%.
Sipas INSTAT, 1.177.529 emigrantë janë meshkuj, ndërsa 1.078.817 janë femra, çka reflekton një diasporë ekonomikisht aktive dhe me potencial të lartë për tregjet e punës në vendet pritëse.
Ndryshe nga emigracioni i hershëm shqiptar, i cili ishte më i orientuar drejt Shteteve të Bashkuara, diaspora e re është kryesisht e përqendruar në Europë. Greqia mbetet vendi me komunitetin më të madh të emigrantëve shqiptarë, e ndjekur nga Italia, Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar.
Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2024, Italia, Greqia dhe Gjermania janë vendet me përqendrimin më të madh të shqiptarëve me leje qëndrimi në Bashkimin Europian. 47.6% e lejeve të qëndrimit të dhëna për shqiptarët në 27 vendet e BE-së janë për bashkim familjar, ndërsa 29.1% për punësim.
Sa i përket shkaqeve të emigrimit, faktorët kryesorë lidhen me kërkimin e mundësive më të mira ekonomike. Arsye të tjera përfshijnë motivet familjare (16%) dhe arsimin (6%).