Plantacione kanabisi në restorante e banesa, shkatërrohet rrjeti shqiptar i drogës në Belgjikë

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 19.12.2025, 21:17

Drejtësia belge ka goditur një rrjet kriminal me bazë shqiptare, i cili ishte i përfshirë në kultivimin industrial të kanabisit në Bruksel dhe zonat përreth. Dhjetë persona janë dënuar me burgim nga 20 muaj deri në 6 vjet, ndërsa gjykata ka urdhëruar konfiskimin e mbi 2.5 milionë eurove, të ardhura nga aktiviteti kriminal.

Sipas agjencisë së lajmeve Belga, vendimi u mor nga Gjykata Penale e Brukselit, pas një hetimi disa mujor të zhvilluar nga policia gjyqësore federale e Leuvenit. Operacioni çoi në çmontimin e plotë të rrjetit kriminal në qershor të vitit 2024.

Hetimet nisën në tetor 2023, kur autoritetet belge zbuluan disa plantacione kanabisi të lidhura me grupe kriminale shqiptare. Në qendër të dosjes hetimore u identifikuan dy vëllezër, të njohur me inicialet B., si dhe kushëriri i tyre R., të cilët konsiderohen organizatorët kryesorë të aktivitetit kriminal.

Sipas dosjes, që nga vera e vitit 2020, në kulmin e kufizimeve të pandemisë COVID-19, grupi kishte nisur kërkimin e objekteve të izoluara për kultivim të fshehtë të kanabisit. Mes ambienteve të përdorura ishin një restorant sushi i mbyllur në Laeken, një banesë në Heverlee dhe një ndërtesë në Vilvorde.

Për funksionimin e plantacioneve, rrjeti angazhonte shtetas shqiptarë si kultivues dhe përgjegjës për logjistikën. Të dyshuarit u mbajtën nën vëzhgim për disa javë, ndërsa policia arriti të instalojë pajisje përgjimi në një automjet të përdorur nga anëtarë të ndryshëm të grupit.

Plantacioni i parë u zbulua në mars 2024 në Heverlee. Në qershor të po atij viti, policia kreu shtatë bastisje të njëkohshme, duke çmontuar plantacionet në Vilvorde dhe Laeken, si dhe një tjetër objekt që ndodhej në fazë përgatitore në Muizen.

Në përfundim të gjykimit, dy vëllezërit B. dhe kushëriri i tyre R. u dënuan me nga 5 dhe 6 vite burg. Kultivuesit e punësuar në lokacione të ndryshme u dënuan me dënime nga 36 muaj deri në 4 vite heqje lirie, ndërsa një tjetër i pandehur, i cili kishte marrë me qira një ndërtesë për llogari të rrjetit kriminal, u dënua me 20 muaj burg.

Gjykata urdhëroi gjithashtu konfiskimin e mbi 2.5 milionë eurove, të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit