“Minë me sahat” në autostradë, kamioni qarkullon lirshëm pa asnjë dritë mbrapa

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 19.12.2025, 19:50

Një qytetar ka denoncuar në redaksinë e JOQ Albania një rast tejet shqetësues, të filmuar mbrëmjen e sotme në autostradën Fier–Vlorë, në afërsi të fshatit Mifol. Në pamjet e dërguara shihet një kamion që lëviz pa drita sinjalizuese në pjesën e pasme dhe pa targa të dukshme.

Për shkak të mungesës së ndriçimit në këtë aks rrugor, kamioni thuajse nuk dallohet fare në errësirë, duke u kthyer në një rrezik serioz për drejtuesit e mjeteve që lëvizin pas tij. Në video dallohet qartë se mjeti nuk ka drita mbrapa dhe as targa, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që targat të jenë përpara. Megjithatë, mungesa totale e ndriçimit dhe sinjalizimit në pjesën e pasme e bën atë një burim potencialisht fatal aksidenti.

Redaksia e JOQ Albania ka denoncuar edhe më herët raste të ngjashme, ku kamionë dhe mjete të tonazhit të rëndë qarkullojnë pa drita, pa sinjalistikë dhe në kundërshtim të plotë me rregullat e qarkullimit rrugor. Fatkeqësisht, situata të tilla kanë rezultuar edhe me pasoja tragjike.

Për rikujtesë, një nga rastet më tronditëse që preku opinionin publik ishte ai i betonieres që udhëtonte pa drita, një neglizhencë që u kthye në një dramë të rëndë njerëzore. Aksidenti i ndodhur disa muaj më parë në aksin Vorë–Fushë Krujë u mori jetën katër të rinjve, duke treguar qartë se sa fatale mund të jenë këto shkelje.

Raste si ky i Fier–Vlorë ngrenë sërish pikëpyetje serioze mbi kontrollin e mjeteve të rënda në rrugët kombëtare dhe mbi sigurinë reale të qytetarëve, sidomos gjatë orëve të natës. Qarkullimi i mjeteve pa drita dhe sinjalistikë nuk është thjesht shkelje ligji, por rrezik i drejtpërdrejtë për jetën.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit