Një tjetër aksident është shënuar pasditen e sotme në aksin Fier–Berat, pranë fshatit Velmish, një segment rrugor i njohur prej vitesh si “njollë e zezë” për aksidentet e shumta, shpeshherë me pasoja fatale.
Një automjet tip “Benz”, i drejtuar nga shtetasi Josif Shkëmbi, është përplasur me një mjet bujqësor tip “Zetor”. Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i mjetit bujqësor, shtetasi Ani Hazizi, ka mbetur i lënduar dhe është transportuar me urgjencë drejt Qendrës Shëndetësore të Roskovecit, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Fatmirësisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor për të dokumentuar aksidentin.
Ky aks rrugor vijon të marrë jetë dhe të lërë pas të plagosur, ndërsa mungesa e sinjalistikës, ndriçimit dhe kontrollit efektiv mbetet problematikë e pandryshuar prej vitesh. Banorët dhe drejtuesit e mjeteve kërkojnë ndërhyrje urgjente, përpara se një tjetër aksident të përfundojë me humbje jete.