90 miliardë euro për Ukrainën: BE miraton kredinë, por pa ‘prekur’ Rusinë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 19.12.2025, 17:48

Bashkimi Evropian ka arritur një marrëveshje pas negociatash të gjata për t’i dhënë Ukrainës një kredi prej 90 miliardë eurosh për dy vitet e ardhshme, pa përdorur asetet ruse të ngrira në territorin e BE-së.

Ukraina rrezikonte të mbetej pa fonde që në pranverën e ardhshme, ndërsa sipas kryetarit të Këshillit Evropian, António Costa, kredia do të shlyhet vetëm kur Rusia të paguajë dëmshpërblime për luftën. Kryeministrja ukrainase, Yuliya Svyrydenko, e cilësoi marrëveshjen si një hap vendimtar për qëndrueshmërinë ekonomike të vendit.

Plani fillestar për përdorimin e rreth 210 miliardë eurove të aseteve ruse të ngrira, kryesisht në Belgjikë, dështoi për shkak të shqetësimeve nga ana e Brukselit për pasoja ligjore dhe hakmarrje ruse. Megjithatë, interesat nga këto fonde vazhdojnë t’i kalojnë Ukrainës.

Presidenti rus Vladimir Putin e quajti vendimin një “tentativë grabitjeje”, ndërsa zyrtarë rusë thanë se mosmarrëveshja për asetet ishte një goditje serioze për BE-në. Nga ana tjetër, kryeministri belg Bart De Wever e cilësoi marrëveshjen si një fitore për Ukrainën, stabilitetin financiar dhe vetë BE-në.

Ukraina ka nevojë për rreth 137 miliardë euro në dy vitet e ardhshme për ushtrinë dhe shërbimet publike, ndërsa BE synon të mbulojë rreth dy të tretat e kësaj shume. Kredia do të merret nga tregjet financiare dhe do të garantohet nga buxheti i BE-së.

Hungaria dhe Sllovakia refuzuan të mbështesin marrëveshjen, ndërsa Çekia deklaroi se nuk do të garantojë kredinë. Kryeministri hungarez Viktor Orban e kritikoi ashpër vendimin, duke thënë se paratë nuk do të kthehen kurrë dhe se ndihma vetëm zgjat luftën.

Marrëveshja vjen në një moment kur SHBA po vazhdon bisedimet me Rusinë për përfundimin e luftës, ndërsa liderë evropianë shpresojnë se mbështetja financiare e BE-së do të forcojë pozicionin e Ukrainës në negociatat e ardhshme për paqen.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit